Lajme

Ndalohen punimet në 7 gurthyes dhe gjobiten 3 të tjerë

08/29/2026 10:06
nga:L J

Inspektorati i Mjedisit ka ndaluar punimet në shtatë gurthyes, ndërsa tre operatorë të tjerë janë gjobitur me gjithsej 7 mijë euro për shkelje të evidentuara.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Sipas saj, masat janë ndërmarrë pas inspektimeve të zhvilluara në Gjilan, Han të Elezit, Shtime, Suharekë, Mitrovicë, Viti, Lipjan dhe Prishtinë.

Procesi i verifikimit të gurthyesve ka nisur në muajin mars, kur operatorëve u është dhënë afat prej 15 ditësh për të dëshmuar përputhshmërinë me kërkesat ligjore dhe kriteret mjedisore.

Rreth 200 gurthyes kanë dorëzuar dokumentacionin, i cili është shqyrtuar nga një komision i jashtëm i angazhuar nga ministria në muajin prill. Sipas njoftimit, një pjesë e konsiderueshme e operatorëve nuk i kanë përmbushur kriteret ligjore.

Vetëm gjatë muajit gusht, punimet u janë ndaluar 16 gurthyesve.

Inspektorati i Mjedisit ka bërë të ditur se kontrollet në terren do të vazhdojnë dhe se ndaj operatorëve që veprojnë në kundërshtim me ligjin, ndotin mjedisin apo nuk përmbushin standardet e përcaktuara, do të ndërmerren masa ndëshkuese.

“Mbrojtja e mjedisit, tokës, ujit dhe ajrit është e pakompromis. Nuk do të lejojmë që përfitimi i askujt të vihet mbi shkatërrimin e mjedisit të Kosovës”, thuhet në postimin e ministres.