Lajme

Ndalimi i Nikola Vujoviq, Policia: Ai do të largohet me forcë nga Kosova!

06/14/2025 16:17
nga:Y I

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se sot ka marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujoviq, për rrezikim të sigurisë kombëtare të Kosovës si pjesëtar i forcave policore të Serbisë.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media thotë se është institucion i zbatimit të ligjeve dhe vendimeve që nxirren nga institucionet e Republikës, prandaj edhe ka nisur procedurat për largimin e Nikola Vujoviq nga vendi ynë.

“Bazuar në vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme mbi humbjen e shtetësisë me privim, ndaj personit N.V., ish shtetas i Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht edhe i Serbisë dhe pjesëtar i inteligjencës së policisë në Serbi, Policia e Kosovës, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, ndaj personit në fjalë ka filluar procedurat për largim me forcë nga vendi ynë. Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, ndaj personit të fjalë është duke u zhvilluar procedura bazuar në ligjet që rregullojnë këtë çështje dhe lidhur me këtë ka lëshuar vendimin për largim me forcë të personit N.V., nga territori i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Deri në përfundim të këtyre procedurave, në përmbushje të kushteve për ekzekutimin e vendimit, personit në fjalë i është shqiptuar masa e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj.

Policia e Kosovës do të vazhdojë të kryej detyrat e saja kushtetuese dhe ligjore dhe të zbatojë vendimet e institucioneve shtetërore të vendit.