Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar sot se njësia B1 e Termocentralit “Kosova B” është shkyçur nga operimi, pas evidentimit të rrjedhjeve të konsiderueshme të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës. Shkyçja e B1 vjen pas vetëm pak orë pas rikthimit të njësisë A5 të termocentralit `Kosova A` në operim.
Sipas njoftimit të KEK-ut, defekti është vërejtur rreth orës 10:00, ndërsa pas vlerësimeve teknike është marrë vendimi që njësia të ndalet para orës 18:00, për të shmangur dëmtime potencialisht më të mëdha.
Tutje theksohet se rrjedhjet kanë shkaktuar harxhime të larta të ujit dhe pamundësi për të vazhduar operimin në mënyrë të sigurt.
Ndalja e njësisë është konsideruar si masë parandaluese për ruajtjen e integritetit të pajisjeve. Por pavarësisht shkyçjes së B1, KEK siguron se furnizimi me energji elektrike në vend mbetet stabil. Katër njësitë e tjera gjeneruese janë në funksion të plotë, duke realizuar prodhim ditor prej rreth 13,560 MWh. Ky nivel mbulon 87.6% të kërkesës së parashikuar nga KESCO për ditën e nesërme, e cila arrin në 15,471 MWh.
Pjesa e mbetur e energjisë sigurohet përmes blerjeve në bursën ALPEX, si dhe përmes shkëmbimit të energjisë me Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH Sh.A.), bazuar në marrëveshjet ekzistuese të bashkëpunimit.
KEK njofton se rikthimi në operim i njësisë B1 do të bëhet i ditur pas përfundimit të kontrollimeve të detajuara teknike.
Korporata thekson se mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt dhe menaxhimit të përgjegjshëm të kapaciteteve prodhuese, duke garantuar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike për vendin.


