Sporti

NBA/ Këto janë denimet për Lebron James dhe Isaiah Stewart pas përplasjes së përgjakshme

11/23/2021 08:09
nga:Lorik J

Për herë të parë në karrierën e tij 19-vjeçare, LeBron James është suspenduar. Megjithatë, për goditjen me bërryl ndaj kundërshtarit të tij Isaiah Stewart, një prej basketbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave nga NBA mori një dënim më të butë se viktima e sulmit.

James u përjashtua për herë të dytë në karrierën e tij, sepse ai goditi me bërryl lojtarin e Detroitit gjatë luftës për pozicionin më të mirë për kërcim kur ishte duke u ekzekutuar një gjuajtje e lirë, gjë që shkaktoi një prerje të madhe të përgjakshme pranë syrit të tij të djathtë, përcjell GazetaBlic Sport.

Stewart u çmend pas veprimit të James dhe vrapoi te LeBron disa herë për t’u hakmarrë. Këtë nuk ia doli sepse e mbajtën bashkëlojtarët dhe trajnerët. Pasi u shqyrtuan pamjet e ngjarjes, të dy u përjashtuan.

NBA raportoi se James u dënua me një ndeshje dënim për “shkaktim konflikti duke e goditur pa kujdes në fytyrë Stewart”, ndërsa viktima e sulmit e pësoi dy herë më keq, pasi raportohet se ishte “fajtor për përshkallëzimin e incidentit dhe përpjekje të shumta dhe agresive me qëllim hakmerrjen kundër James”.

/GazetaBlic Sport