Sporti

Nazmi Gripshi: Ndeshja me Dritën nuk vendos se kush do të bëhet kampion, duam përsëri titullin në Suharekë

03/07/2023 16:30
nga:Mergim Rreci

Nazmi Gripshi po kalon në formë fantastike në Superligën e Kosovës. 

Sulmuesi i Ballkanit shënoi një gol fantastik në ndeshjen ndaj Prishtinës dhe fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të javës.

Ai ka qenë një nga futbollistët më të rëndësishëm të kësaj skuadre në sukeset e arritura deri më tash, gjithashtu një siguri shtesë në repartin ofanziv.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Gripshi tha se po ndjehet shumë mirë tek skuadra nga Suhareka dhe se është i bindur se me grupin që kanë do të kenë edhe rezultate të mira edhe këtë vit.

Ndihem shumë mirë në këtë skuadër, kemi krijuar një frymë grupi që na bën shumë të fortë në lojë dhe besoj se me këtë lojë që po bëjmë me këtë grup lojtarësh që stërvitet nga trajneri Daja dhe stafi i tij, besoj se do të bëjmë shumë mirë edhe këtë vit”, tha fillimisht ai.

Më pas, sulmuesi shqiptar u deklarua edhe për ndeshjen e radhës shumë të rëndësishme ndaj rivalit direkt, FC Dritës.

Ndeshja me Dritën është ndeshja e radhës, ndeshjet i marrim një nga një, kampionati është i gjatë dhe nuk është një ndeshje që vendos se kush do të dalë kampion apo jo. Do të flasim për titullin në fushë, skuadra jonë do të bëjë maksimumin në çdo ndeshje për ta mbajtur trofeun e kampionatit në Suharekë“, përfundoi Gripshi.

/GazetaBlic Sport/