Në prag të pushtimit rus të Ukrainës, NATO shtoi forcat e saj në Evropën Lindore dhe Juglindore, ndërsa Shtetet e Bashkuara dërguan 15.000 ushtarw shtesë, kështu që numri i pjesëtarëve të personelit të Aleancës në këto shtete kaloi shifrën prej 100 mijë.
“Kufijtë lindorë nga Ballkani e deri në Balltik ruhen në misione të përbashkëta nga rreth 7600 ushtarë të NATO-s me tanke, mjete luftarake të këmbësorisë, helikopterë, avionë luftarakë, artileri dhe anije. Ky numër nuk është përfundimtar, sepse më 7 mars, Pentagoni vendosi të dërgojë 500 ushtarë të tjerë në pozicione të ndryshme në Greqi, Poloni, Rumani dhe Gjermani dhe 400 ushtarë shtesë në Lituani”, shkruan portali Rrjeti Ballkanik i Sigurisë.
Katër misionet e zgjeruara të shtrirjes (eFP) të NATO-s në Letoni, Estoni, Lituani dhe Poloni tani numërojnë më shumë se 6.800 pjesëtarë.
Këto shifra pritet të rriten për shkak se pritet vendosja e forcave të NATO-s në Sllovaki, Hungari dhe Bullgari.
“Forcat e gjuetisë së NATO-s janë në detyrë të vazhdueshme, me aeroplanët luftarakë F-15, F-16, F-35, Typhoon dhe Mirage 2000, të dislokuar në vendet përgjatë gjithë krahut lindor si pjesë e rritjes së mbikëqyrjes ajrore”, u theksua mëtutje.
Në tekst thuhet se Shtetet e Bashkuara janë në detyrë me cisterna ajrore, bombardues B-52 dhe B-1B dhe Franca me avionë luftarakë Rafal dhe cisterna ajrore.
Portali shkruan se në Letoni janë rreth 2500 ushtarë të NATO-s, në Estoni 2250, në Lituani 1500, ndërsa në Poloni janë pak më shumë se 10 mijë ushtarë të aleancës.
1200 persona me njësinë e mbrojtjes ajrore gjermano-holandeze Patriot u vendosën në Sllovaki, ndërsa rreth 7000 ushtarë nga Divizioni i Tretë i Blinduar i Ushtrisë Amerikane, të pajisur me tanke Abrams, automjete të blinduara Bradley dhe artileri, u transferuan në Gjermani .
Tetë avionë të tjerë luftarakë F-35 janë vendosur gjithashtu në Gjermani.
Tani ka rreth 2000 trupa aleate në Rumani, ndërsa një detashment prej katër aeroplanëve luftarak Eurofighter me 130 persona përcjellës ka mbërritur në Bullgari dhe pritet të vendoset një kompani e forcave të këmbësorisë amerikane Stryker.


