Lajme

NATO e frikësuar se Rusia po planifikon operacionin famëkeq “Flamuri i Rremë”

03/15/2022 16:35
nga:Donika Fetahu

NATO është e shqetësuar se Rusia mund të përdorë armë kimike në një operacion të ashtuquajtur “flamuri i rremë” në Ukrainë.

Këshu tha të martën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shkruan CNN.

“Pretendimet “absurde” të Moskës për laboratorët biologjikë dhe armët kimike janë pjesë e një “liste të gjatë gënjeshtrash”, e cila shkakton shqetësim për mundësinë e një sulmi të tillë”, paralajmëroi shefi i NATO-s.

“Ata pretenduan se nuk kishin në plan të pushtonin Ukrainën, por e bënë. Ata pretenduan se po tërhiqnin trupat e tyre, por më pas dërguan edhe më shumë. Ata pretendojnë se mbrojnë civilët, por ata po vrasin civilë”, tha ai duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel.

“Kjo ka tronditur botën dhe ka tronditur rendin ndërkombëtar,” shtoi ai.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të mbajnë një takim në Bruksel të mërkurën.

Çka është operacioni “flamuri i rremë”?

Operacionet e quajtura ‘flamur i rremë’ janë ato që kryhen me qëllimin për të maskuar palën përgjegjëse për sulmin ose për të lejuar sulmuesin që të fajësojë një palë tjetër.

Termi e ka origjinën nga lufta detare e shekullit 16-të, kur anijet fillimisht ato të piratëve, mbanin flamujt e kombeve të tjera për të arritur elementin e befasisë.

Ka pasur shembuj të shumtë të operacioneve të quajtura ‘flamur i rremë’ në histori.

Në incidentin e Mukdenit të vitit 1931, agjentët japonezë sabotuan një pjesë të hekurudhës për t’i dhënë asaj pretekstin për të pushtuar dhe marrë nën okupim Machuri-an.

Tetë vjet më vonë, agjentët gjermanë shpikën një sulm në një stacion radioje përgjatë kufirit polak më 31 gusht 1939, duke qëlluar civilë për vdekje dhe duke i veshur me uniforma polake.

Incidenti u përdor më vonë si një pretekst që forcat gjermane të pushtonin Poloninë, duke shënuar fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

Zyrtarët rusë vazhdimisht kanë mohuar pretendimet e ShBA-së se po planifikojnë një operacion të ngjashëm për të lejuar pushtimin e Ukrainës.