Udhëheqësit e NATO-s janë të vendosur të bien dakord për mbështetje shtesë për Ukrainën, për t’u përballur me kërcënimet kimike dhe bërthamore ndërsa lufton me forcat pushtuese ruse, tha sot shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.
“Nesër, pres që aleatët të bien dakord të ofrojnë mbështetje shtesë, duke përfshirë ndihmën e sigurisë kibernetike, si dhe pajisje për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet nga kërcënimet kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore”, tha Stoltenberg përpara samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s, i cili zhvillohet nesër në Bruksel.
Ai gjithashtu tha se Bjellorusia ka qenë “bashkëpunëtore” në pushtimin rus të Ukrainës edhe para fillimit të tij, duke lejuar që territori i saj të përdoret për grumbullimin e trupave dhe ajo vazhdon të mundësojë pushtimin.
Stoltenberg shtoi se Bjellorusia ka lejuar gjithashtu aeroportet e saj ushtarake të përdoren nga forcat ruse për të nisur sulmet ndaj qyteteve dhe civilëve ukrainas.


