Krerët e 30 shteteve të anëtare të NATO-s, në deklaratën e lëshuar pas Samitit të jashtëzakonshëm të Aleancës, i cli u zhvillua në Bruksel, agresionin rus kundër Ukrainës e cilësuan si kërcënimi më i madh për sigurinë euroatlantike në dekada, duke thënë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka shkatërruar paqen në Europë dhe se po shkakton vuajtje dhe shkatërrime të mëdha njerëzore.
Duke e përsëritur se e dënojnë këtë sulm në termat më të ashpër, NATO i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që menjëherë të ndalojë këtë luftë dhe të tërheqë forcat ushtarake nga Ukraina. Po ashtu, NATO i bëri thirrje Bjellorusisë që t’i japë fund bashkëpunimit të saj me Rusinë.
“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës kërcënon sigurinë globale. Sulmi i tij ndaj normave ndërkombëtare e bën botën më pak të sigurt. Retorika përshkallëzuese e presidentit Putin është e papërgjegjshme dhe destabilizuese”, thuhet në komunikatën e NATO-s.
Derisa lavdëruan trimërinë dhe rezistencën e ukrainasve, për të cilët shtuan se kanë frymëzuar botën, NATO tha se do të punojë me pjesën tjetër të komunitetit ndërkombëtar për t’i vënë para përgjegjësisë ata që shkelen ligjin humanitar dhe ndërkombëtar, përfshirë edhe krimet e luftës.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për rritjen e rrezikut të dhunës seksuale dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të lejojë qasje të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitare dhe kalim të sigurt për civilët, si dhe të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare në Mariupol dhe qytete të tjera të rrethuara. Ne dënojmë gjithashtu sulmet kundër infrastrukturës civile, duke përfshirë ato që rrezikojnë termocentralet bërthamore”.
NATO dha edhe një paralajmërim për Rusinë në rast të ndërmarrjes së disa veprimeve “të papranueshme” për të.
“Çdo përdorim nga Rusia i një arme kimike ose biologjike do të ishte i papranueshëm dhe do të rezultonte me pasoja të rënda”.
NATO tha se do të vazhdojnë të kundërshtojnë gënjeshtrat e Rusisë për sulmin e saj ndaj Ukrainës, për të cilat tha se Rusia po i përdor për të përgatitur terrenin për përshkallëzim të mëtejshëm, përfshirë kundër popullatës civile të Ukrainës.
Shtetet aleate të NATO-s thanë se Rusia duhet të tregojë seriozitet për negociatat, duke implementuar menjëherë një armëpushim.
“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me presidentin Zelensky, Qeverinë e Ukrainës, si dhe qytetarët e guximshëm ukrainas që po mbrojnë atdheun e tyre. Ne nderojmë ata që u vranë, u plagosen dhe ata që u zhvendosën nga agresion rus dhe po ashtu familjet e tyre. Ne rikonfirmojmë mbështetjen e palëkundur për pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.


