Lajme

Nataliteti dhe pasiguria për të ardhmen, sociologu tregon arsyet e rënies së numrit të lindjeve në Kosovë

08/04/2024 14:37
nga:N K

Sociologu Labinot Kunushevci, në një prononcim dhënë për GazetaBlic, ka folur për rënien e numrit të lindjeve në vendin tonë dhe shkaqet që mund të jenë për mos krijimin e një familje të madhe siç ka qenë viteve të kaluara në Kosovë.

“Nataliteti në Kosovë varet nga shumë faktorë ekonomik dhe social. Sot ka ndryshuar pikë së pari koncepti i planifikimit familjar, që lidhet ngushtë me ekonominë familjare, të ardhurat dhe punësimin, kushtet e jetesës dhe aftësitë menaxhuese të problemeve familjare potenciale. Kriza familjare sot nuk lidhet vetëm me kushtet ekzistuese ekonomike, por edhe me sigurinë për të ardhmen”, tha ai.

Cilët faktorë mund të ndikojnë në rënien e lindjeve në Kosovë?

“Ndihet një pasiguri për të ardhmen e fëmijëve dhe kjo pasiguri ndikon në projeksionet e natalitetit. Gjithsesi, faktor tjetër është papërgatitja emocionale e partnerëve për të rritur dhe edukuar fëmijë sepse martesën nuk e konsiderojnë si mundësi investimi në krijimin e familjes, por si aventurë”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

“Sociologjikisht, familja është institucion bio-emocional dhe socio-ekonomik, por që nuk përjetohet dhe trajtohet si e tillë nga secila familje, duke rrezikuar dhe tkurrur kështu funksionin riprodhues të saj, pasi ka çifte që përzgjedhin bashkëjetesën apo abortin selektiv. Dhe kjo është njëra ndër arsyet e rënies së natalitetit ndër vite”, tha tutje ai.

“Mungesa e politikave sociale dhe ekonomike mbi institucionin familje, me një strategji që i mbështetë fëmijët në forma të ndryshme, i bën të rinjtë ta mendojnë me hezitim dhe pasiguri fëmijën e dytë, të tretë, etj.”, përfundoi sociologu Labinot Kunushevci.

/GazetaBlic/