Lajme

Nasim Haradinaj: Më 7 qershor mbështes Aleancën, është garanci për shtetin dhe lirinë

05/20/2026 12:58
nga:Y I

Nasim Haradinaj ka deklaruar mbështetjen e tij për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, duke i cilësuar këto si ndër më të rëndësishmet në historinë e pasluftës.

“Me 7 qershor, kam vendosur ta mbështes Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Pse? Sepse Aleanca, si subjekt politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka qenë një zë i fuqishëm opozitar. Ka qëndruar përballë çdo qeverie me argumente të forta, por njëkohësisht ka treguar konstruktivitet kur ka qenë në pyetje interesi i shtetit tonë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se Aleanca dhe Ramush Haradinaj “i duhen Parlamentit të Republikës së Kosovës”, duke shtuar se prezenca e saj është garanci për shtetin dhe lirinë.

“Si subjekt parlamentar janë dëshmuar se dinë të bëjnë dallimin kur duhet të jenë të ashpër dhe të palëkundur ndaj agjendave kundër shtetit, por edhe kur duhet maturi politike dhe përgjegjësi kombëtare”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për njerëz që janë dëshmuar në kohët më të vështira.

“Kosova ka nevojë për njerëz që e kanë dëshmuar veten në kohët më të vështira dhe që nuk janë lëkundur kurrë përballë sfidave të shtetit. Përherë dhe gjithmonë me gjithë çlirimtarët dhe ndërtuesit e mbrojtësit e shtetit e kombit”, ka përfunduar Nasim Haradinaj.