Geek

NASA nis misionin për të eksploruar misteret e hapësirës

12/09/2021 22:16
nga:G C

NASA nisi të enjten një mision të rëndësishëm, për të eksploruar misteret e hapësirës. Zbuluesi i nisur në hapësirë me raketën Falcon 9 të SpaceX, do të eksplorojë disa nga objektet më të mistershme të universit, përfshirë vrimat e zeza dhe yjet pulsues që dërgojnë sinjale elektromagnetike. Zbuluesi, i quajtur IPEX, është një vëzhgues hapësinor që ka disa teleskopë të fjalës së fundit të teknologjisë, me detektorë tepër të ndjeshëm.

Sateliti u nis në orën 1 të mëngjesit të së enjtes nga Qendra Hapësinore “Kennedy” në Florida. Zbuluesi, i cili është krijuar si bashkëpunim i NASA-s me Agjencinë Italiane të Hapësirës, ka tre teleskopë.

“Ky është një hap i guximshëm dhe unik përpara sa i përket astronomisë”, tha Martin Weisskopf, pjesëtar i ekipit të projektit. “IXPE do të na thotë më tepër për natyrën e saktë të burimeve hapësinore që emetojnë reze X”, transmeton a2.

Rrezet X janë valë me ngarkesë të lartë energjetike, që lindin nga fusha të fuqishme magnetike, përplasje të objekteve qiellore, shpërthime, temperatura të larta dhe rrotullime të befta. Drita që krijohet përmban edhe të dhëna për shkakun e formimit, por atmosfera e Tokës e ndalon që të mbërrijë te ne. Prandaj shkencëtarët i studiojnë rrezet X përmes teleskopëve të posaçëm.

Me këtë vëzhgues të ri në hapësirë, studiuesit mund të kuptojnë më mirë çfarë përmbajnë yjet që shpërthejnë dhe si arrijnë t’i prodhojnë rrezet X. Kjo perspektivë e re mbi objektet kozmike mund t’i japë përgjigje edhe pyetjeve thelbësore rreth fizikës.

“IXPE do të na ndihmojë të testojmë dhe të ripërkufizojmë teoritë e mënyrës sesi funksionon universi”, tha Weisskopf. “E bukura qëndron se pas të dhënave që do të mbledhim, mund të na lindin shumë më tepër pyetje të reja! Do t’i analizojmë këto të dhëna për dekada me radhë”.