Muzeu Kombëtar “Smithsonian” për Historinë e Natyrës çeli në tetor ekspozitën e agjencisë hapësinore NASA për informimin për Tokën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Andrei Dziarkach, ekspozita u jep vizitorëve një pamje nga afër të forcave që i japin formë planetit tonë.
Një ekran i madh, me përmasa 10×3 metra është në epiqendër të ekspozitës së re në Muzeun Kombëtar “Smithsonian” për Historinë e Natyrës, në Uashington.
Ekspozita titullohet “Qendra e NASA-s për Informimin për Tokën”. Punonjësit e NASA-s që përgatitën këtë ekspozitë thonë se paraqitja vizuale është një ndër mënyrat më të mira për të mësuar për ndryshimet që pëson Toka.
“Paraqitja vizuale mund të sjellë një botëkuptim më të madh të pamjeve nga hapësira. Prandaj po e përdorim këtë mjet”, thotë Karen St. Germain, nga Divizioni i Shkencave të Tokës, në NASA.
Ekrani pasqyron ndryshimet që përjeton Toka. Në ekran shfaqen sasi të jashtëzakonshme të dhënash – si p.sh. ku është i përqëndruar në sasi më të mëdha dioksidi i karbonit, si dhe dinamikat e ndotjes nga zhurmat dhe drita në planet. Njëzetepesë satelitë dhe sensorë të shumtë në tokë kanë mbledhur informacionin që NASA po e bën të disponueshëm për publikun.
“Mbledhim të dhëna në kohë reale, shohim tendencat afatgjata. Shohim p.sh. grafikun që tregon nivelin e dioksidit të karbonit në atmosferë gjatë 64 viteve të fundit. Është ndër të dhënat më interesante shkencore”, thotë Kirk Johnson, nga Muzeu Kombëtar “Smithsonian” për Historinë e Natyrës
Informacioni vizual mahnit jo vetëm vizitorët, por edhe shkencëtarët me eksperiencë, të cilët janë mësuar me të dhëna të shumta.
“Një ndër paraqitjet vizuale më të preferuara për mua është ajo që tregon të gjitha rrymat e oqeaneve, me ngjyra sipas temperaturës. Ne jemi një planet oqeanik. Oqeanet ruajnë energjinë më të madhe që vjen nga dielli dhe këto rryma e zhvendosin këtë nxehtësi dalëngadalë në mbarë planetin. Kjo mundëson jetën në Tokë”, thotë zonja St. Germain.
Administratori i NASA-s, Bill Nelson, i cili udhëtoi në vitin 1986 me anijen hapësinore Columbia, thotë se projekte të tilla kanë vlerë të jashtëzakonshme edukative dhe ndoshta mund t’i frymëzojnë vizitorët që të kujdesen më shumë për planetin.
“Çdo person në planetin Tokë mund të bëhet bashkëkujdestar për ruajtjen e këtij krijimi të bukur, shumëngjyrësh, që qëndron në mesin e asgjësë – planetin Tokë”, thotë zoti Nelson.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në vitin 2028. /VOA