Sot është bërë pranim-dorëzimi zyrtar i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik-Prishtinë. Ushtruesja e deritashme e detyrës së drejtoreshës së IAP, Meliza Krasniqi, ia dorëzoi detyrën Naim Berisha, i cili nisi mandatin e tij katërvjeçar si drejtor i IAP.
Naim Berisha është këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik në Prishtinë nga viti 2008, në Degën e Gjuhësisë.
Gjatë kësaj periudhe kohore ka kryer disa detyra: Shef i Degës së Gjuhësisë (1.9.2019 -1.9.2023); Anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik (1.11.2019 – 31.10.2023); Anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit Albanologjik 2016-vijon; Anëtar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe (që nga 21 shkurt 2020); Anëtar i redaksisë së revistës “Gjurmime Albanologjike” (numrat 49, 50, 51, 52); Anëtar i Këshillit Kombëtar Shkencor i Projektit “Gjuha Shqipe dhe Kompjuteri (2020-2021); Fjalori i Madh i Gjuhës shqipe – Përgjegjës për kartotekën e leksikut në Kosovë; Fjalori i Madh i Gjuhës shqipe – Hartues.
Fushat e tij të studimit janë: leksikologjia, leksikografia, dialektologjia, sociolinguistika, kultura e gjuhës e të tjera.
Ka qenë i angazhuar si asistent dhe ligjërues në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës dhe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prizrenit. Veprimtaria e tij shkencore dhe arsimore numëron tetë libra të botuar (botime shkencore, tekste shkollore); tetëdhjetë e tri njësi bibliografike – studime, trajtesa, artikuj, recensione etj.


