Lajme

Nagip Krasniqi reagon ndaj raportimeve se është i përfshirë në një video me përmbajtje eksplicite me një vajzë të mitur

11/19/2024 21:42
nga:G B

Nagip Krasniqi, ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), i cili po hetohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ka reaguar pas publikimit të një video-incizimi të raportuar në një medium në Kosovë.

Në këtë video, Krasniqi pretendohet se ka pasur biseda me përmbajtje të papërshtatshme me një vajzë të mitur.

Në një deklaratë publike, Krasniqi mohoi kategorikisht akuzat dhe i cilësoi ato si fabrikime dhe tentime për shantazh ndaj tij.

Ai pretendon se qëllimi kryesor i këtyre sulmeve është dëmtimi i tij personal dhe politik, përfshirë goditjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti.

Në reagimin e tij, Krasniqi theksoi se për një kohë të gjatë ka marrë porosi kërcënuese dhe shantazhuese nga persona të ndryshëm, përfshirë zyrtarë politikë, prokurorë dhe pronarë portalesh. Sipas tij, këto sulme kanë eskaluar në një fushatë të sinkronizuar për diskreditimin e tij.

“Prej një viti, qëllimet dhe burimet e këtyre sulmeve po qartësohen. Pas raportimeve për ‘videon’, tashmë qarkullojnë materiale që pretendohet se janë të mia, shoqëruar me akuza për përfshirje me një të mitur. Kjo është një fabrikim i pastër,” deklaroi ai.

Krasniqi tha se sulmet ndaj tij kanë kaluar nga akuzat për korrupsion në ndërmarrje publike, në sferën e jetës së tij private dhe intime.

Ai akuzoi disa segmente të Prokurorisë dhe Policisë për keqpërdorim të materialeve të konfiskuara gjatë hetimeve, duke pretenduar se këto janë përdorur për qëllime elektorale dhe baltosje.

“Banesën dhe zyrën time i bastisën në prill 2023, duke konfiskuar pajisje personale. Në vend që t’i përdorin për hetime, këto materiale po shfrytëzohen për të fabrikuar dhe shpërndarë akuza të rreme ndaj meje,” shtoi Krasniqi.

Krasniqi pretendoi se qëllimi i fundit i kësaj fushate është goditja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë së Kosovës.

Ai e cilësoi përfshirjen e akuzave për “video intime” si një shenjë se kundërshtarët e tij nuk kanë më materiale të tjera për ta sulmuar.

“Unë nuk jam targeti përfundimtar. Kjo fushatë po synon të dëmtojë Kryeministrin Albin Kurti dhe Vetëvendosjen. Nëse kanë materiale, le t’i publikojnë të gjitha. Unë nuk jam shantazhuar dhe nuk do të shantazhohem,” përfundoi Krasniqi.