Sporti

Nagelsmann paralajmëron ndryshime te Gjermania pas humbjes nga Sllovakia

09/06/2025 22:21
nga:Mergim Rreci

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka njoftuar se do të bëjë rotacione të mëdha në formacion përballë Irlandës së Veriut, pas humbjes shokuese 2-0 nga Sllovakia në Bratislavë.

Kjo ka qenë disfata e parë e Gjermanisë në një ndeshje kualifikuese të Botërorit jashtë fushe, ndërsa skuadra e Nagelsmann ka pësuar edhe humbjen e tretë radhazi, pas dy dështimeve në Nations League ndaj Portugalisë dhe Francës.

“Ka pasur disa diskutime të brendshme. Nesër nuk do të kemi një skuadër krejtësisht ndryshe në filozofi, por në aspekt personal do të ketë ndryshime. Duhet të japim një paraqitje më të mirë”, ka thënë Nagelsmann në konferencë për media. “Nuk mund të mendojmë për Botërorin, duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen”.

Gjermania është favorite për të kryesuar Grupin A, ku bëjnë pjesë edhe Irlanda e Veriut dhe Luksemburgu, por forma e dobët ka shtuar presionin mbi ekipin.

Nagelsmann ka thënë se nuk është i frikësuar për postin e tij.