Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në takimin informues që mbajti sot me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit foli për organizimin e testeve kombëtare dhe ndërkombëtare, realizimin e grantit specifik për praktikën profesionale për nxënësit e IAAP-ve, alokimin e buxhetit për mësimdhënësit me probleme shëndetësore, përmirësimin e infrastrukturës ligjore sa i përket edukimit të hershëm dhe arsimit parauniversitar dhe çështje të tjera të rëndësishme të cilat paraqesin sfidë në realizimin e plotë të politikave arsimore.
Ministrja Nagavci fillimisht uroi drejtorët e zgjedhur nëpër komuna dhe i ftoi ata që të shtrojnë për diskutim çështjet me interes dhe në këtë mënyrë të jenë kontribuues të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në arsim.
“Do të mundohemi që takimet e rregullta me DKA-të të jenë sa më konstruktive dhe të ndihmojnë në përmirësimin e performancës dhe rezultateve, ndërkaq falënderoi DKA-të, mësimdhënësit, stafin menaxherial të shkollave dhe prindërit për bashkëpunimin në këtë situatë pandemie”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera, Nagavci theksoi se një ndër sfidat që duhet të tejkalohet në këtë kohë mbetet plotësimi i zbrazëtirave që janë krijuar nga zhvillimi i mësimit online.
Duke folur për organizmin e testeve kombëtare, ministrja Nagavci tha se duhet të sigurohen që të paraqiten sa më suksesshëm në Testin PISA, ndërsa ftoi drejtorët e DKA-ve që të jenë sa më bashkëpunues edhe në organizimin sa më të suksesshëm të Testit të Maturës dhe Testit të Arritshmërisë.
Sa i përket Grantit specifik për vitin 2022, Nagavci bëri të ditur se janë alokuar 1 milion e 700 mijë euro për mësimdhënësit me probleme shëndetësore dhe se nevojitet ende kohë në zgjidhjen e këtij problemi, ndërsa shtoi se, vitin e ardhshëm do të fillojnë me rrjetin e organizmit të shkollave sa i përket pabarazisë në mes të numrit të nxënësve dhe mësimdhënësve në komuna.
Nagavci foli edhe për vështirësitë të cilat po hasen sa i përket zbatimit të Kontratës Kolektive, rëndësinë e digjitalizimit në sistemin arsimor dhe zbatimin e mësimit dual në shkolla sipas sistemit gjerman.
Për detaje rreth organizmit të testeve kombëtare dhe ndërkombëtare foli udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim dhe Standarde, Fatmir Elezi, i cili tha se Divizioni ka një bashkëpunim të mirë në Drejtoritë Komunale të Asimit dhe kërkoi që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në vlerësimet të cilat janë në proces të organizimit për këtë vit.


