Lajme

Nagavci: Paga e mësimdhënësit e përafërt me atë të rajonit, Ligji i Ri do t’i eliminojë padrejtësitë

04/02/2022 11:04
nga:Genita C

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka thënë se paga e mësimdhënësit në Kosovë është e përafërt me ata të rajonit, më e madhe se në Maqedoni të Veriut, e më e vogël se në Shqipëri.

Këto komente i ka dhënë në Kongresin e 8-të të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).

“Ndërsa paga e mësimdhënësit në Kosovë është e përafërt me ata të rajonit, më e madhe se në Maqedoni të Veriut, ndonëse pak më e vogël se në Shqipëri. Megjithatë ju siguroj se si Ministri e Arsimit edhe në grupin punues që është duke punuar në Ligjin e Pagave, jemi duke i adresuar të gjitha padrejtësitë që ishin në Ligjin e kaluar duke u munduar që të zhduken pabarazitë që reflektojë ligji i kaluar ndërmjet mësuesve klasor dhe atyre të niveleve tjera por edhe të kategorive tjera”, tha ajo.

Krahas pagës që sipas saj marrin mësimdhënësit, ajo ka premtuar se po punojnë në Ligjin e Pagave, për të cilën tha se do t’i eliminojë të gjitha pabarazitë që reflektuan nga ligji i kaluar, i cili u shpall anti-kushtetues.

Duke folur për punën e mësimdhënësit, e para e arsimit ka thënë se ata kanë bërë që të fitohet çdo luftë, duke filluar nga lufta kundër analfabetizmit e deri te lufta për liri.

“Nuk kemi si të mos flasim për mësimdhënësit dhe të mos i kthehemi historisë sepse mësimdhënësit tanë historikisht i kanë bërë ndryshimet dhe kanë bërë përpjekjet më serioze për të ndryshuar dhe zhvilluar shoqërinë. Ata kanë bërë që të fitohet çdo luftë, duke filluar nga lufta kundër analfabetizmit e deri te lufta për liri dhe ndryshe nga mësimdhënësit nga vendet e tjera, ata shqiptarë janë përballur me sfida të vazhdueshme shekullore dhe i kanë kaluar me sukses të gjitha këto sfida. Këtë e dëshmuan edhe në këto dy vitet duke luftuar pandeminë”, tha Nagavci, shkruan EO.

“Duke pasur parasysh ndikimin e mësuesit jemi të vetëdijshëm se duke investuar në mësimdhënësit tanë, ne investojmë edhe në fëmijët tanë njëkohësisht, sepse janë mësimdhënësit janë më meritorët për suksesin e fëmijëve. Analizat dhe studimet e tregojnë se në shumë aspekte të zhvillimit gjithëpërfshirës në sistem, Kosova qëndron më mirë se disa vende të rajonit”, tha ajo.