Lajme

Nagavci: Kryetari i Vitisë me prioritet t’i shqyrtojë udhëzimet e Ministrisë së Financave

10/03/2024 13:32
nga:Sh R

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se ndihet keq që mësimdhënësit në Komunën e Vitisë nuk i kanë marrë pagat e muajit shtator.

Ajo ka thënë se kjo ka ndodhë për shkak të një lëshimi të kësaj komune, duke shprehur besimin se kryetari i saj dhe gjithë personeli do të marrin seriozisht në shqyrtim udhëzimet e Ministrisë së Financave.

“Sa jam informua ky është një lëshim, gabim i vetë Komunës së Vitisë dhe unë ndihem shumë keq që për shkak të menaxhimit jo të mirë të komunës por edhe për shkak të situatave të krijuara në të kaluarën, ku nuk është planifiku implementimi i kontratës kolektive, tashmë janë mësimdhënësit ata që po e pësojnë. Unë pres që kryetari i komunës dhe udhëheqja e komunës me prioritet t’i shqyrtojnë udhëzimet që u ka dhënë ministria e financave”, ka thënë Nagavci të enjten, raporton teve1.info

Ndryshe mësimdhënësin e Komunës së Vitisë kanë paralajmëruar protestë para Qeverisë së Kosovës për mos ekzekutimin e pagave.

Kryetari kësaj komune Sokol Haliti , ka fajësuar nivelin qendror për këtë situatë.

“Është bërë diçka e veçantë për Vitinë, për një pjesë të sektorit publik kinse për mostransferim të mjeteve nga ana e komunës sonë, nuk iu janë ekzekutuar pagat e mësimdhënësve. Por e vërteta qëndron se ne s’kemi pas mundësi me bë ndërrim ose transfer të mjeteve nga pozicionet buxhetore të tjerë. Së pari s’kemi pasur të drejtë të ligjore për Kuvend, e Kuvendi është dashur tri ditë të thirret në mënyrë të jashtëzakonshme, në mënyrë të rregullt është shtatë ditë. Në anën tjetër nuk kemi pasur as buxhet me bë transfer, për shkak se jemi minus ngase në vitin 2024 tre milionë e gjysmë na i kanë marrë përmbaruesit nga vendimet e Gjykatave bazuar në kontratën kolektive’, ka thënë kryetari i Vitisë, Sokol Haliti.

Ndërsa, Ministria e Financave ka thënë se kjo komunë nuk siguron buxhetin e nevojshëm

“Thesari i Kosovës ka njoftuar me kohë komunat të cilat janë ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator, dhe të gjitha komunat e kanë bërë përpos njërës. Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit”, thuhej në reagimin e ministrisë.