Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka folur lidhur me raportet e saj me Sindikatën e Arsimit, duke thënë se “askush nuk mund ta shantazhojë punën e saj”.
Nagavci në Kuvendin e Kosovës ka thënë se testimi si instrument i vlerësimit të mësimdhënësve nuk parashihet me legjislacion në fuqi.
“Unë nuk shantazhoj askënd, po ashtu nuk ka asnjë person, asnjë organizatë që mund të më shantazhojë mua”, tha ajo.
Këto deklarata të ministres Nagavci vijnë pasi kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha një gjë të tillë nuk do ta lejojnë asnjëherë të bëhet.
“Atë që e kemi kundërshtuar dhe do ta kundërshtojmë, sepse ka aty këtu informata, thashetheme për ndonjë ide eventuale që të bëhet testi me shkrim për punëtorët e arsimit. Ne ketë gjë e kemi kritikuar edhe në kohën e ministrave të tjerë dhe po e them edhe një herë, SBASHK-u nuk do të lejojë asnjëherë që të bëhet testimi i mësimdhënësve. Ne kërkojmë që të shkojnë inspektorët në orë të shohin si po punojnë ata”, tha ai.


