Lajme

Nagavci: Bllokimi i Kuvendit pengoi projekte 121 milionë euro dhe ligjet e Planit të Rritjes me BE-në prej 882 milionë euro

03/23/2026 12:08
nga:Genita C

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka theksuar se për shkak të dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, seanca e 6 marsit nuk u mbajt, duke penguar ratifikimin e katër marrëveshjeve në vlerë 121 milionë euro për projekte të rëndësishme, si rruga Prishtinë-Mitrovicë, energjia diellore në KEK, trajtimi i ujërave të zeza dhe efiçienca energjetike në ndërtesa publike.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se kanë mbetur peng edhe ligjet e Planit të Rritjes me BE-në (882 milionë euro) dhe rishikimi i buxhetit, të cilat, siç thotë ajo, janë thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Më 6 mars në rend dite të seancës e cila nuk arriti të mbahej për shkak të dekretit të Presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ishte planifikuar të ratifikoheshin katër marrëveshje në vlerë 121 milionë euro, për projekte të rëndësishme si rruga Prishtinë–Mitrovicë, energjia diellore në KEK, trajtimi i ujërave të zeza dhe efiçienca energjetike në ndërtesa publike”.

“Gjithashtu kanë mbetur peng edhe ligjet e Planit të Rritjes me BE-në (882 milionë euro) dhe rishikimi i buxhetit.Këto projekte janë thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve, prandaj është e rëndësishme të miratohen sa më shpejt dhe të mos bllokohen nga zhvillimet politike”, tha Nagavci për GazetaBlic.