Lajme

Nagavci: Aprovimi i projektligjit për tekste shkollore, me interes për zhvillimin e sektorit të arsimit parauniversitar

04/05/2024 14:20
nga:Sh R

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, lidhur me mbledhjen e sotme të grupit punues të Projektligjit për tekste shkollore, ka thënë se janë diskutuar komentet e pranuara deri në këtë fazë të shqyrtimit.

Nagavci ka thënë se ky projektligj, paraqet legjislacionin thelbësor për sigurimin e cilësisë në arsim në Kosovë dhe sipas saj, është shumë i rëndësishëm sa i përket arritjes së synimeve për sigurimin e teksteve cilësore për fëmijët tanë.

Nagavci ka thënë se risitë në këtë projektligj janë:

-Aplikimi me dorëshkrime drejtpërdrejt nga autorët dhe përkrahjen e tyre të vazhdueshme përmes ngritjes së kapaciteteve;

-Sigurimi i recensentëve kompetentë e llogaridhënës që do t’i nënshtrohen programit të ngritjes së kapaciteteve dhe në fund, procesit të certifikimit;

-Pilotimi i teksteve shkollore gjatë përgatitjes teknike që i paraprinë vendimit për botim;

-Rishikimi i vazhdueshëm të teksteve shkollore, të hapur për komente nga të gjithë akterët relevantë dhe përgjatë gjithë vitit;

-Në linjë me qëllimin tonë strategjik të digjitalizimit në arsim, me këtë projektligj kemi rregulluar edhe mundësitë për ofrimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore digjitale.

Ministrja Nagavci ka thënë se aprovimi i këtij projektligji është me interes të veçantë për zhvillimin e sektorit të arsimit parauniversitar në vend dhe zbatimin e strategjisë së arsimit 2022-2026.

“Falenderoj të gjitha palët për kontributin e dhënë në këtë projektligj dhe ftoj deputetët që të mbështesin dhe miratojnë këtë projektligj i cili është determinues për rritjen e cilësisë së teksteve shkollore”, ka thënë ndër të tjerash Nagavci.

Kujtojmë që në këtë mbledhje ka pasur shumë polemika mes pozitës dhe opozitës, ku kjo e fundit ka akuzuar këtë projektligj, duke thënë se i njëjti është “i vjedhur dhe i kontrabanduar”.