Sporti

“Na vjen keq, nuk ishte lider”, shkarkohet Jurgen Klinsmann

02/16/2024 10:35
nga:E K

Merr fund aventura koreane për Jurgen Klinsmann. Ish-goleadori i njohur gjerman, i cili ka drejtuar edhe si trajner 4 herë kampionët e botës, është shkarkuar nga posti i trajnerit të Koresë së Jugut.

Vendimi fatal erdhi pas eliminimit befasuese në gjysmëfinalet e Kupës së Azisë nga Jordania. Me koreanët që cilësoheshin si skuadra më e fortë e kompeticionit.

Me anë të një komunikate zyrtare, KFA (Federata e Futbollit të Koresë së Jugut) bën të ditur se gjermanit i munguan aftësitë si lider, ndërkohë që puna e tij nuk solli produktin që pritej.

“Kemi vendosur të ndryshojmë trajnerin e ekipit kombëtar pas një vlerësimi të kujdesshëm që kemi bërë”, shprehet Chung Mong-gyu, kreu i futbollit koreanojugor.

I cili vazhdon: “Klinsmann nuk arriti të shfaqte aftësitë menaxhuese dhe lidershipin që pritej nga një trajner i ekipit kombëtar.

Qëndrimi dhe konkurrueshmëria e Klinsmann si trajner nuk i përmbushën pritshmëritë tona. Kështu që vendosëm të ndryshojmë përpara eliminatoreve të Botërorit 2026”.

Ndërkohë, tekniku gjerman theksoi misioni i tij në Korenë e Jugut (27 shkurt 2023-16 shkurt 2024) ishte një udhëtim i jashtëzakonshëm.

59-vjeçari fitoi trofe me Interin dhe Bayern Munich gjatë karrierës së futbollist, por edhe Kupën e Botës (1990) dhe Europianin (1996) me Gjermaninë.

Si trajner ka punuar me kombëtaret e Gjermanisë, SHBA, Koresë së Jugut, por edhe klube si Bayerni, Hertha Berlin dhe Toronto.