Lajme

Muzeu i Luvrit tronditet nga një tjetër skandal: 10 milionë euro mashtrim me biletat, 9 të arrestuar

02/13/2026 18:39
nga:Sh R

Policia franceze ka arrestuar nëntë persona, mes tyre dy punonjës të muzeut të Luvrit, për një skemë mashtrimi me biletat që dyshohet se ka sjellë përfitime deri në 10 milionë euro.

Hetimet kanë zbuluar një rrjet të organizuar ku përfshiheshin guida turistike dhe persona të brendshëm të muzeut, të cilët përdornin të njëjtat bileta për vizitorë të ndryshëm, kryesisht grupe turistësh nga Kina.

“Bazuar në informacionin e disponueshëm për muzeun, dyshojmë ekzistencën e një rrjeti që organizon mashtrime në shkallë të gjerë,” tha një zëdhënës i muzeut për Agence France-Presse.

Luvri, muzeu më i vizituar në botë, e raportoi mashtrimin e dyshuar tek policia, gjë që çoi në arrestime. Dy punonjës të Luvrit, disa guida turistike dhe një person i dyshuar si organizatori kryesor janë mes të ndaluarve, sipas zyrës së prokurorisë së Parisit.

Mashtrimi i dyshuar me biletat është kriza më e fundit që ka goditur Luvrin. Muzeu ende po vuan pasojat e një grabitjeje që ndodhi më 19 tetor, kur një bandë hyri ditën përmes një dritareje dhe vodhi kurorat franceze me vlerë rreth 88 milionë euro për vetëm shtatë minuta, përpara se të arratiseshin me skuterë. Katër burra janë arrestuar dhe janë nën hetim formal, por bizhuteritë nuk janë gjetur më, siç shkruan The Guardian.

Të premten, galeria Denon, ku ekspozohen pikturat më të vlefshme të muzeut, u mbyll pjesërisht pas një rrjedhjeje uji, njoftuan përfaqësues të sindikatave. Mona Lisa, portreti më i famshëm në botë, nuk u prek. Rrjedhja ndodhi në sallën 707, ku ekspozohen piktura të artistit francez Charles Meynier dhe të artistit italian të Rilindjes Bernardino Luini. Kjo ishte rrjedhja e dytë e rëndësishme brenda më pak se tre muajsh.

Luvri tha se po përballet me një rritje të mashtrimeve të ndryshme me biletat. Si përgjigje, ka vendosur një plan të “strukturuar” kundër mashtrimit në bashkëpunim me stafin dhe policinë.

Gazeta Le Parisien raportoi se mashtrimi i dyshuar përfshinte guida turistike që kishin shënjestruar grupe vizitorësh nga Kina. Guida dyshohet se futnin vizitorë duke përdorur të njëjtat bileta disa herë për persona të ndryshëm. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse rrjeti mund të ketë sjellë deri në 20 grupe turistike në ditë gjatë dekadës së fundit.

Prokuroria e Parisit tha se përgjimet dhe mbikëqyrja konfirmuan përdorimin e përsëritur të biletave dhe një strategji të dukshme për të ndarë grupet e turistëve, për të shmangur pagesën e tarifës së detyrueshme për guidat. Hetimi gjithashtu tregoi për bashkëpunëtorë të dyshuar brenda Luvrit, ku guida dyshohet se u paguanin atyre para në dorë për të shmangur kontrollet e biletave.

Një hetim gjyqësor formal u hap qysh në qershor mbi akuza për mashtrim të organizuar, pastrim parash, korrupsion, ndihmë për hyrje të paligjshme në vend si pjesë e një grupi të organizuar, dhe përdorim të dokumenteve administrative të falsifikuara.

Associated Press raportoi se të dyshuarit besohet se kanë investuar një pjesë të parave në pasuri të paluajtshme në Francë dhe Dubai. Autoritetet kanë sekuestruar mbi 957 mijë euro në para të gatshme, përfshirë 67 mijë euro në valutë të huaj, si dhe 486 mijë euro nga llogaritë bankare.

Në muajt e fundit, sindikatat e Luvrit kanë organizuar disa ditë grevash, duke kërkuar rinovime urgjente dhe rritje të stafit, si dhe duke protestuar kundër rritjes së çmimeve të biletave për shumicën e vizitorëve jashtë BE-së, përfshirë turistët britanikë, amerikanë dhe kinezë.