Lajme

Mustafa: Viti 2022 sfidues për Kosovën, rritje ekonomike vetëm 2.7 për qind

10/16/2022 11:51
nga:G B

Ish kryeministri i Kosovës, njëherësh ish lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se vitin e kaluar Kosova shënoi  rritje ekonomike 9.5 për qind sipas FMN-së, përkatësisht 9.1 për qind sipas Bankës Botërore, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se viti 2022 parashihet të jetë sfidues për Kosovën, derisa ka shtuar se vlerësimet e këtij muaji nga FMN thonë se Kosova do të përmbyllë këtë vit me rritje ekonomike prej vetëm 2.7%.

Postimi i tij i plotë:

Vitin që e lamë pas, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 9.5% (sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar) përkatësisht 9.1 % (sipas Bankës Botërore). Kjo rritje erdhi si rezultat i rritjes së prodhimit, fuqizimit të konsumit dhe rritjes së eksportit, pasi që në vitin 2020, si pasojë e pandemisë kishin stagnuar të gjitha aktivitetet ekonomike dhe përfunduam me rritje negative ekonomike prej -5.5%. Në këtë aspekt krahasimet me vitin 2020 janë të natyrës formale, prandaj edhe nuk janë tregues i qëndrueshëm. Nga tregjet dhe ekonomitë në zhvillim në Evropë vitin e kaluar, Mali i Zi kishte rritjen më të madhe ekonomike prej 13% (sipas FMN-së) përkatësisht 12.4% (sipas BB) pasuar nga Kroacia prej 10.2%. Por sikurse Mali i Zi ashtu edhe Kroacia kishin pësuar rënie të madhe ekonomike në kohë të pandemisë (2020)

Viti 2022 parashihet të jetë sfidues për Kosovën. Vlerësimet e këtij muaji nga FMN flasin se Kosova do të përmbyllë këtë vit me rritje ekonomike prej vetëm 2.7%. Rritje më të ulët (2.4 %) parashihet të ketë vetëm Bosnja dhe Hercegovina. Shkak i kësaj rënie vlerësohet të jetë inflacioni i lartë, bilanci i pavolitshëm tregtar, rënia e investimeve publike dhe atyre private, rënia e konsumit për shkak të rritjes së çmimeve duke mbajtur pagat e pandryshuara në sektorin publik dhe ndikimi indirekt nga lufta në Ukrainë. IM