Lajme

Mustafa-Rrustemit: Kryeshefin që e emëruat në KEK u arrestua për tenderët njëburimorë, mos na tregoni përralla

03/28/2024 11:19
nga:G C

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa i është kundërpërgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi i cili tha se “në qeverinë Kurti nuk ka korrupsion, por përgjegjësi e transparencë” duke i thënë se “kryeshefi që e kishte emëruar qeveria në KEK ishte arrestuar për shkak të tenderëve njëburimorë”.

Në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohet për kontratat njëburimore, Mustafa i është drejtuar Rrustemit duke i thënë “Keni harruar që kryeshefi i KEK-ut që e keni emëruar ju është arrestuar për shkak të tenderëve njëburimorë, u mundove të thuash se qeveria Kurti është e pakorruptuar. Mos na tregoni përralla, aman ju koftë”.

Ndërkaq, më herët, Adnan Rrustemi nga radhët e VV-së ka thënë se në qeverinë Kurti nuk ka ministra të korruptuar e nuk ka korrupsion duke i quajtur opozitën ekspertë të tenderëve njëburimorë.

Rrustemi ka shtuar se përgjegjësia e transparenca do të vazhdojnë deri në realizimin e zotimeve të qeverisë.

“Në qeverinë Kurti nuk ka ministra të korruptuar e nuk ka korrupsion. Në qeverinë Kurti ka përgjegjësi e transparencë, e kështu do të vazhdohet deri në realizimin e zotimeve tona. Ju jeni ekspertë të tenderëve njëburimorë”, ka deklaruar Rrustemi.