Lajme

Mustafa: Ndryshojeni këtë qeverisje për një udhëheqës që e di saktësisht se ç’duhet bërë për të ardhmen

01/27/2025 11:19
nga:Lorik J

Në një konferencë për media të mbajtur sot, zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, bëri thirrje për mobilizim të qytetarëve në dy javët e fundit të fushatës zgjedhore, duke theksuar rëndësinë historike të këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e vendit.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të flasin me familjarët dhe miqtë e tyre për rëndësinë e zgjedhjeve dhe për nevojën e ndryshimit të qeverisjes aktuale.

“Po hymë në dy javët e fundit të fushatës, që janë dy javët e para të një të ardhmeje së re dhe të ndritur për Kosovës. Tash gjithçka varet nga ju, populli i Kosovës. Flisni me familjarët tuaj, flisni me miqtë tuaj. Shpjegojuni atyre se sa vendimtare janë këto zgjedhje për të ardhmen e secilit prej tyre. Shpjegojuni se ata nuk mund të jenë neutral, nuk mund të përballojnë edhe katër vite të tjera keqqeverisje të VV-së. Ata duhet… ju duhet të bëni të pamundurën për ta ndryshuar këtë qeverisje të keqe. ” – tha Mustafa.

Mustafa theksoi përkushtimin e LDK-së për të sjellë ndryshimin që Kosova ka nevojë në krye me kandidatin për kryeministër të kësaj partie, Lumir Abdixhikun.

“Ndryshojeni atë për një udhëheqës që e di saktësisht se çfarë duhet bërë për të ardhmen e Kosovës. Ndryshojeni atë për një parti që ka pafundësisht ekipin më të mirë, ekspertët më të mirë, gratë dhe rininë më të mirë që do të sjellin ndryshimin në Kosovë. Ne do të punojmë e do të ecim përpara me gjithë fuqinë tonë në dy javët e ardhshme. Ju lutemi që edhe ju të bëni të njëjtën gjë. Së bashku do të sjellim ndryshimin.” – deklaroi më tej Mustafa.