Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se partia në pushtet ua ka pamundësuar organizimin e tubimit elektoral në Gjilan.
Sipas tij, organet e nivelit komunal nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e fundit, gjë që ua ka pamundësuar atyre këtë organizim.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, dega jonë në Gjilan, ka qenë subjekti politik i parë që ka bërë kërkesën qysh më 30 dhjetor, kërkesën për të mbajtur një tubim elektoral në atë sallë. Fatkeqësisht organet e nivelit komunal nuk janë përgjigjur deri në momentin e fundit, sepse në të kundërtën do të mund të ndryshonim dhe datën. Fatkeqësisht pushteti lokal, ka vendosur të mos njoftojë degën tonë deri në momentin e fundit, duke na e pamundësuar organizimin e tubimit në datën e caktuar”, tha ai.
“Kjo tregon dëshpërimin e thellë dhe panikun e thellë të cilën po e përjeton partia në pushtet, e cila është po ashtu në Gjilan, pra VV-ja, e cila ka informacione saktë nga terreni që qytetarët e Kosovës, në këtë rast qytetarët e Gjilanit kanë humbur besimin tek ta, janë të dëshpëruar thellësisht në ta, prandaj po mundohen me këto manovra, taktika që nuk i kanë hije cilësdo parti për të pamundësuar një tubim madhështor”.
Mustafa pati edhe një mesazh për VV-në, duke i thënë se mos t’i frikësohen LDK-së e as popullit të Kosovës, që sipas tij ata janë sovrani, e ata vendosin për të ardhmen e Kosovës.
“Kam një mesazh për partinë në pushtet në nivel qendror e në nivel lokal, Lidhja Demokratike ka një përkrahje, një përbashkim të madh të fuqishëm, prandaj nuk kanë pse i frikësohen LDK-së, qytetarëve të Kosovës, popullit të Kosovës. Ata janë sovrani, ata vendosin”.