Lajme

Mustafa i PDK-së: Asnjëherë më parë Kosova nuk ka pasur kaq shumë kontrata njëburimore

11/26/2024 23:00
nga:G C

Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) lidhur me numrin e madh të kontratave njëburimore.

Mustafa tha se shifrat e paraqitura nga përfaqësuesit e LVV-së nuk janë të besueshme, pasi edhe vetë Ministri i Financave është mbështetur te të dhënat e një deputeti dhe jo te një burim zyrtar.

Duke iu referuar Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Mustafa theksoi se Kosova ka pasur 2,174 kontrata me një burim gjatë tre viteve të fundit, me një vlerë totale prej 274 milionë euro.

“Edhe vet ministri i financave i referohet deputetit për këto të dhëna por jo ndonjë burimi zyrtar fillimisht. Por, nëse e shohim burimin zyrtar që është KRPP-ja shohim që numri i kontratave njëburimore është 2 mijë e 174, ndërsa vlera e këtyre kontratave për këto tre vite është 274 milion euro. Asnjëherë më parë Kosova nuk ka pas kaq shumë kontrata të negociuara’’, ka thënë Mustafa në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.