Lajme

Musliu-Shoshi: Votimi në komitetin e ministrave varet nga Qeveria, lobimi dhe koordinimi me ndërkombëtarët

04/03/2024 13:02
nga:G B

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe ka kaluar hapi i parë.

“Të gjitha ato kërkesa që i ka Këshilli i Evropës karshi Kosovës janë kërkesa të cilat janë veçse të plotësuara, qoftë në aspektin legjislativ, qoftë në aspektin e të drejtave të njeriut, qoftë në funksionimin e demokracisë dhe këto janë të gjitha që janë punuar në këtë vend në 20 vitet e kaluara. Marrë parasysh faktin se të gjitha këto janë të plotësuara dhe një gjë të tillë e kanë vërtetuar edhe ekspertët që kanë qenë në Kosovë, po ashtu e ka vërtetuar edhe Dora Bakojani e cila është raportuese, ka kaluar Republika e Kosovës në hapin e parë”, shprehet ajo.

Deputetja shpjegon tani fazat e ardhshme për votim në asamble parlamentare, teksa shpreson dhe është e bindur se Kosova do ta kalojë edhe këtë hap.

“Tani sesioni është nga 15-19. Nga sa kam unë informata Kosova do të jetë në debat parlamentar me 18 prill. Aty do të bëhet votimi dhe do të bëhen amandamente nëse kanë delegacionet tjera. Po shpresojmë që do të ketë një vendim pozitiv sepse kemi lobuar si deputetë, asnjëri nga ne nuk e kemi parë veten që jemi opozitë, por jemi të gjithë bashkë duke punuar për të mirën e vendit tonë, për të ardhmen tonë dhe një gjë të tillë e kemi bërë dhe është kurorëzuar me votimin në hapin e parë. Shpresojmë dhe jemi të bindur se do të votohet edhe në fazën e dytë në prill”, thekson Musliu-Shoshi për Gazeta Blic.

Pas këtij hapi, më pas dërgohet si opinion në komitet të ministrave, për çka deputetja e PDK-së vlerëson se ai votim varet krejtësisht nga Qeveria.

“Pas votimit në prill do t’i dërgohet komitetit të ministrave vetëm si opinion sepse nuk është ligjërisht i obliguar vendimi i Asamblesë Parlamentare mirëpo është vetëm si opinion te komiteti i ministrave. Mbledhja e komitetit të ministrave do të mbahet në maj dhe këtu do të thosha se është komplet në dorën e qeverisë, nuk është se ne nuk kemi lobuar si opozitë në vazhdimësi dhe nga krerët tanë dhe nga kryetari Krasniqi në çdo vizitë që e ka pasur në Bruksel, ka lobuar, kemi lobuar edhe ne si deputetë në çdo vizitë dhe çdo kontakt me akterët ndërkombëtarë. Tani votimi në komitetin e ministrave është komplet në dorën e qeverisë, krejt varet sa ka lobuar dhe sa vazhdon të lobojë qeveria. Po shpresoj që kanë lobuar, po shpresoj që janë në koordinim të plotë me akterët ndërkombëtarët edhe pse një gjë e tillë nuk po shihet, mendoj që nëse është lobimi e koordinimi i duhur mund të ketë votim pozitiv edhe në komitetin e ministrave”, deklaron deputetja Ariana Musliu-Shoshi./Gazeta Blic/