Lajme

Musliu-Shoshi: Qeveria po shkon drejt rrugës autoritare, opozita duhet ta mbrojë demokracinë me çdo kusht!

02/27/2024 14:01
nga:Y I

Hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së me datën, 1 shkurt ku ndalohej përdorimi i dinari, ka acaruar raportet Kosovë-SHBA.

Të njëjtit kishin kërkuar nga qeveria e Kosovës, shtyrjen e zbatimit të kësaj rregulloreje, kërkesë kjo që nuk ishte përfilluar nga Qeveria e Kosovës.

Tensionimi i raporteve kulmoi me deklaratën e Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili tha se nëse merren vendime pa u konsultuar me ta nuk do ta konsiderojnë Kosovën si partnere.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien raporton Gazeta Blic.

Në të njëjtën linjë me O’Brien ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Ai tha se vendimi për ta zbatuar rregulloren e BQK-së për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë.

Po si duhet të veprojë, opozita, në kushtet kur raportet Kosovë-SHBA kanë arritur në këtë pikë?

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se opozita i ka përdorur të gjitha mjetet demokratike që qeverinë ta mbaj përgjegjese për veprimet e saj.

Por, Musliu, potencoi se duke marrë parasysh faktin që Qeveria po shkon drejt një rruge autoritare, atëherë edhe opzoita duhet të ndryshoj kursin dhe mbroj demokracinë.

“Opozita e tanishme i ka perdorë dhe vazhdon të perdorë të gjitha mjetet demokratike që qeverinë ta mbaj përgjegjese dhe llogaridhënëse! Marr parasyshe faktin që kemi të bëjmë me nje qeveri e cila është duke trasuar rrugën autoritare dhe çdo ditë duke u larguar nga parimet e demokracisë, atherë duhet edhe opozita të ndryshoj kursin dhe ta mbroj demokracinë me cdo kusht” deklaroi Musliu-Shoshi për “Gazeta Blic”

Deputetja e PDK-së tha se është investuar shumë që Kosova të jetë shtet demokratik dhe kjo nuk duhet të rrënohet në asnjë mënyrë.

“Kemi investuar shumë për të qenë shtet me vlera demokratike dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që të rrënohet” deklaroi ajo për “Gazeta Blic”.

Ariana Musliu-Shoshi, PDK!