Lajme

Musliu-Shoshi: Kurtit s’po i kërkohet çka s’është zotuar – mos të na ikë momentumi për në KiE

05/07/2024 20:39
nga:G B

Kanë mbetur pak ditë deri në  takimin e komitetit të ministrave të Këshillit të Evropës, për aplikimin e Kosovës në KiE.

E, deri sot Kosova ende s’ka arritur të futet në agjendë për këtë takim.

Ndërsa, dje kryeministri Albin Kurti, u kërkoi ambasadorëve të QUINT-it që të mos i përziejnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE me procesin e dialogut me Serbinë, pasi nëse këto përzihen, sipas tij shkaktojnë dëm.

Lidhur me këtë, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se dallojnë e drejta dhe mundësia.

“E drejta dhe mundësia dallojnë! Ne po flasim për anëtarësim ne një organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, ku anëtarësimi ynë varet nga mbështetja me votë e aleatëve tanë”, shprehet ajo.

Deputetja thekson se nuk po kërkohet çka nuk është zotuar ta bëjë Kurti dhe nuk duhet të na ikë ky momentum.

“Prandaj, pavarësisht të drejtës duhet të ndiqet mundësia që të mos na ikë ky momentum. Nuk po kërkohet çka nuk është pajtuar e zotuar ta bëjë z.Kurti”, deklaron deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi./Gazeta Blic/