Lajme

Musliu: Rama më shkarkoi pas një dreke pune me Lumir Abdixhikun

02/06/2024 13:53
nga:G B

Ilirik Musliu, i cili ditë më parë u shkarkua nga pozita e drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës ka thënë se vendimin e kryetarit, Përparim Rama për shkarkim e ka pritur në mënyrë shokuese.

Kjo pasi siç thotë ai nuk ka pasur ndonjë paralajmërim më herët por se e ka kuptuar përmes postimit në Facebook të publikuar nga Rama.

I ftuar në “Rreth e Rrotull”, Musliu konsideron se shkarkimi i tij u bë për arsye politike e jo i bazuar në performancë siç ka deklaruar Rama.

“E kam kuptuar përmes një shkrimi të tij në Facebook, për mua ka qenë totalisht e papritshme dhe shokuese kur kemi punuar shumë ngushtë, drejtoria jonë ka qenë drejtoria me performancën më të mirë por në të njëjtën kohë edhe Rama ka deklaruar se koalicioni po ec mirë, nuk e di nga erdhi vendimi”, ka thënë Musliu.

Sipas tij, vendimi është dashur të diskutohet paraprakisht dhe të ftohet nga Rama në tavolinë e jo përmes postimeve.

“Ka qenë e ulët, pas punës 2 vjecare që kemi bërë, kemi merituar të na thirrin në tavolinë, arsyetimi është qesharak nuk ka të bëjë me punën, por me politikën”, ka vijuar ai.

Ai thotë se vendimi për shkarkimin e tij ka ardhur pikërisht pas një dreke pune që ka pasur Rama me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Ka qenë një drekë pune me Lumirin Abdixhikun, dhe pas asaj ka ardhë ky vendim, nuk dua të besoj apo paragjykoj, por ka pasur një kronologji të ngjarjeve”.

Musliu thotë se prej se ka marrë detyrën si drejtor asnjëherë nuk është përfshirë në debate politike dhe se ka pritur që edhe puna e tij të vlerësohet në bazë të performancës e jo në bazë të politikës.

Arsyetimi për shkarkimin e tij ka qenë gjendja e keqe me mbledhjen e mbeturinave në kryeqytet, derisa për këtë ai thotë se përgjegjëse është kompania rajonale “Pastrimi”.

Ai është shprehur i habitur dhe i shokuar nga ky vendim, pasi thotë se bashkëpunimi me Ramën ka qenë i mirë dhe për këtë arsye ka pritur një trajtim njerëzor dhe profesional.

Ndryshe, më 2 shkurt, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë vendim për të liruar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Musliu ishte pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) parti e koalicionit qeverisës në kryeqytet.