Lajme

Musliu: Qytetarët të dëshpëruar dhe të pashpresë me Kurtin, të shqyrtojnë ikjen nga Kosova

02/16/2022 08:36
nga:Q R

Të dëshpëruar dhe të pashpresë për qytetarët Qeverinë Kurti po e konsideron deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, teksa thotë se të vetmen mundësi që e shohin ata është ikja nga Kosova.

Musliu ka folur edhe për punën e kësaj qeverie, duke thënë se këtë vit nuk ka arritur ta përmbush agjendën e paraparë legjislative.

Musliu e ka quajtur të dobët Qeverinë Kurti edhe në pyetjet parlamentare, pasi sipas saj ligjvënësit nuk po arrijnë asnjë herë të marrin përgjigje nga ministrat e kabinetit qeveritar, raporton Ekonomia Online.

Duke folur për këtë, Musliu mori shembull seancën e fundit, ku tha se vetëm katër prej tyre kanë parashtruar pyetje ndaj ministrave.

“Përveç pjesës legjislative, fatkeqësisht parlamenti nuk ka mundur ta ushtrojë punën dhe detyrën e tij, çoftë në parashtrimin e pyetjeve parlamentare ju e keni parë që ka rënë interesi tek deputetët për të parashtruar pyetje parlamentare në mungesë të vullnetit të ministrave për t’u përgjigj. Në seancën e fundit prej 120 deputetëve ne kemi pasur vetëm 4 pyetje parlamentare, vetëm 4 deputetë sepse të gjithë deputetët po hezitojnë të parashtrojnë pyetje të cilat ripërsëriten nga seanca në seancë dhe nuk marrin përgjigje nga ministrat e Qeverisë Kurti”, ka thënë Musliu.

“Fatkeqësisht ato ligje të cilat i kemi shty me procedurë të shpejta kanë qenë vetëm ndryshime kozmetike teknike dhe nuk kanë të bëjnë absolutisht me substancën e ligjeve, prandaj i kanë futur si numër të madh në paketë për t’u dukur gjoja se po përmbushet agjenda legjislative, dhe kjo mënyrë e të punuarit ose të Qeverisjes i bënë shumë dëm Kosovës dhe është rrezik i madh për vendin sepse thjesht nuk po punohet në substancë, po punohet sipërfaqësisht po punohet Ad-hoc, po punohet sa për të mbush numra e statistika gjoja se po punohet. Në thelb nuk është duke u punuar mirëfilli dhe drejt”.

Deputetja e PDK-së, thotë se shefi i Qeverisë i ka zhgënjyer qytetarët, teksa përmend edhe ikjen e qytetarëve nga Kosova. Ndërsa për këtë frustrim siç e cilëson ajo, shkon në favor të opozitës.

“Sot më shumë se kurrë frustrimi qytetar është në kulm, dëshpërimi qytetar është në kulm. Ndoshta premtimet e mëdha që i kanë dhënë, pritjet e mëdha që i ka ushqye tek qytetarët kanë arritur që të shkaktojnë edhe një zhgënjim të tillë i cili është sot. Fat është për ne si opozitë ndoshta që nuk kemi nevojë aspak t’ia nxjerrim në pah dobësitë ose mangësitë kësaj Qeverie sepse edhe kundërshtari më i madh politik nuk e ka pritur një dështim të tillë të Qeverisë Kurti”.

E ndërsa kritikat e shefit të ekzekutivit drejtuar qeverive të kaluara, Musliu e quan shfajësim të vetë Kurtit. Thotë se për një vit qeverisjeje, Kurti nuk ka arritur asnjë rezultat a projekt madhor.

“Ju e shihni që një vit qeverisje nuk është bërë asgjë përveç se është fajësuar dikush tjetër për punët që i ka bërë më herët, nuk e kemi asnjë rezultat, asnjë projekt madhorë me thënë që ky projekt e karakterizon këtë Qeveri dhe ne duhet t’i duartrokasim. Fatkeqësisht qytetarët të cilët janë ushqyer me shpresën e rrejshme, të cilët janë gënjyer gjatë gjithë kohës, të cilët janë keqpërdorur gjatë gjithë kohës nga Albin Kurti sot janë të dëshpëruar dhe të pashpresë, dhe të vetmen mundësi që e shohin për të mbijetuar është ikja nga Kosova”, u shpreh Musliu.

Sot shqyrtohen dy marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë