Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar pas deklaratave të ushtruesit të detyrës së kryeshefit të Trainkosit, Agron Statovci, duke e paralajmëruar atë se do të ndjekë rrugë ligjore nëse nuk i tërheq deklaratat dhe nuk kërkon falje publike.
Musliu ka thënë se ka pritur tri ditë që Statovci të reflektojë dhe të kërkojë falje për, siç i ka cilësuar ajo, gjuhën seksiste dhe deklaratat ndaj saj dhe familjes së saj.
“Kam pritur tri ditë që të reflektoje dhe të kërkoje falje publikisht, jo vetëm ndaj meje, por para së gjithash ndaj bashkëshortes tënde dhe ndaj të gjitha grave të Kosovës”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka pretenduar se pas një komenti të bërë në një portal, Statovci ka publikuar një status në të cilin, sipas saj, ka bërë shpifje dhe ka thënë të pavërteta për të dhe familjen e saj.
Musliu ka paralajmëruar se nëse Statovci nuk i fshin deklaratat dhe nuk kërkon falje publike brenda 24 orësh, çështjen do ta vazhdojë në rrugë ligjore.
“Të paralajmëroj publikisht: nëse nuk reflekton, nuk i fshin deklaratat dhe nuk kërkon falje publike ndaj meje dhe familjes sime brenda 24 orësh, atëherë përballja jonë do të vazhdojë në rrugë ligjore”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e PDK-së ka thënë se nuk do të heshtë përballë shpifjeve, fyerjeve dhe përpjekjeve për të njollosur emrin e saj apo të familjes.
Në fund, Musliu ka theksuar se është e gatshme t’i përballojë këto pretendime me prova, fakte dhe argumente, duke shtuar se përgjegjësinë për fjalët dhe akuzat e bëra do ta kërkojë edhe para gjykatës.


