Lajme

Musliu: Kosova si asnjëherë më parë që nga shpallja e pavarësisë u përball me agresionin e sulmeve terroriste serbe

12/20/2023 16:45
nga:G B

Sulmi në Banjskë ishte me rrezikshmërinë më të lartë për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe si i tillë mund të përsëritet. Kështu ka deklaruar kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, pas mbledhjes ku kishte raportuar drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

Në një konferencë për media të mbajtur menjëherë pas mbledhjes, Musliu tha se siguria në vend për këtë vit ka qenë sfiduese si për institucionet ashtu edhe për qytetarët. Porse, siç tha ajo, falë punës profesionale të AKI-së është arritur që t’iu jepet epilog rasteve që cenuan sigurinë kombëtare.

“Konstatuam se ka qenë një vit i vështirë dhe jashtëzakonisht sfidues për qytetarët e Republikës së Kosovës në përgjithësi e me theks të veçantë për institucionet e sigurisë në vend. Gjatë këtij viti, Kosova si asnjëherë më parë që nga shpallja e pavarësisë u përball me agresionin e sulmeve terroriste te organizuara nga aparatura shtetërore serbe. Në nivelin e sigurisë kombëtare rasti i Banjskës është një nga rastet e nivelit më të lartë të rrezikshmërisë së shtetit të Kosovës dhe ky rast ende vazhdon në mënyra të veta të paraqesë rrezik për vendin tonë”, tha ajo.

Por, krahas sigurisë kombëtare deputetja Musliu tha se institucionet e sigurisë duhet të jenë vigjilente edhe për çështje të tjera.

“Si institucione të sigurisë nuk guxojmë në asnjë mënyrë të lëmë pa vëmendje edhe kërcënimet e tjera të sigurisë siç janë prezenca e madhe e lëndëve narkotike dhe shpërndarja tek grupmoshat e reja në theks të veçantë ose me fokus tek nxënësit dhe shkolla. Futja nga jashtë e Kosovës e monedhës dy euro false po ashtu në tregun financiar ekonomik po ashtu ka dëmtuar rëndë qytetarët e Republikës së Kosovës ka shkaktuar probleme financiar ne ekonomi edhe ashtu të varfër të Kosovës.