Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë se nëse në Kosovë ekziston fenomeni i femicidit, sikurse pretendon ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, atëherë “unë kërkoj mbrojtje nga shteti”.
Në një reagim ndaj ministres Albulena Haxhiu dhe deputetes së LVV-së, Arjeta Fejza, deputetja e PDK-së ka thënë se është “tmerr të konstatohet se në Kosovë ekziston femicidi”.
Ajo, në një fjalim në kuvend, ka kërkuar mbrojtje nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Unë që sot kërkoj nga shteti që të më ofrojë ndihmë të më mbrojë sepse edhe unë jam grua. Sepse petku i deputetes nuk më mbon mua nga fenomeni femicid, i cili sipas dikujt ekziston në shoqërinë tonë. Prandaj, unë publikisht kërkoj nga institucionet që të më garantojnë sigurinë sepse del dikush të më vrasë në sheshin e Prishtinës. Nëse mund të vijmë në këtë konstatim, sepse është tmerri të dalë ministrja e Drejtësisë e të thotë: ‘Në Kosovë vriten gra vetëm pse janë gra. Hej! Kthjelluni!”, ka thënë ajo.


