Lajme

Mushkolaj: Shkova në takim te LDK, sikur kam shkuar te VV – Abdixhikut i kërkova të distancohet nga gjuha e Gazmend Muhaxherit

07/05/2023 16:23
nga:G B

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka thënë se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së LDK-së për bashkëbisedim me gazetarë e opinionistë, njësoj sikur edhe VV-së kur e ka ftuar kur ka qenë në opozitë, raporton Gazeta Blic.

Ai ka thënë se njësoj do të veprojë edhe për ftesat e tjera, edhe nga qeveria dhe se nuk sheh asgjë të keqe që të dëgjohen e të shkëmbehen ide.

Mushkolaj ka thënë se nuk e ka bojkotuar takimin edhe pse i pranishëm ka qenë edhe Gazmend Muhaxheri,  i cili një natë më parë bëri krahasimin skandaloz të qasjes së Albin Kurtit në veri me Slobodan Milosheviqin dhe se nga Abdixhiku ka kërkuar që ai e LDK të distancohen nga kjo gjuhë e tij.

Postimi i tij i plotë:

Iu kam përgjigjur pozitivisht ftesës së LDK’së për bashkëbisedim me gazetarë e opinionistë. Njësoj kam vepruar edhe kur më ka ftuar VV, sa ka qenë në opozitë. Do t’iu përgjigjem edhe ftesave të tjera të ngjashme – edhe nga qeveria.

Nuk shoh asgjë të keqe që të dëgjohen e shkëmbehen ide. As të përplasen mendime.

Nuk e bojkotova takimin edhe pse i pranishëm ishte edhe Gazmend Muhaxheri, i cili një natë më parë bëri krahasimin skandaloz të qasjes së Albin Kurtit në veri me Slobodan Milosheviqin.

Nga Lumir Abdixhiku kërkova që ai dhe LDK të distancohen nga kjo gjuhë e rrezikshme e Muhaxherit. Nëse kjo qasje është mendësia e “alternativës” së LDK’së, atëherë s’kam koment.