Lajme

Mushkolaj: Fjalimi i Osmanit ishte goditje ndaj Kurtit, më shumë si opozitë sesa si presidente

11/21/2024 22:12
nga:G B

Analisti politik, Imer Mushkolaj, për fjalimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani në Kuvend, ka theksuar se ishte një goditje e drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Mushkolaj ka theksuar se Osmani, e cila ka fituar postin e presidentes me ndihmën e Kurtit, tani po tregon që është kundër tij.

Mushkolaj, ka theksuar se fjalimi i presidentes nuk përfshiu çështje kyçe që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës.

“Zonja Osmani sot këtë fjalimin që e mbajti në Kuvend e kishte ekskluzivisht  si goditje ndaj Kurtit. Albin Kurtit me të cilin ajo ka fituar vota dhe me ndihmën e të cilit ajo është zgjedhur presidente. Për ndryshe një fjalim vjetor e presidentes do të duhej të përfshinte edhe aspekte tjera jetës në Kosovë. Ajo nuk është aty presidenten vetëm për dialogun, as për dialogun, as për me na i mbajt marrëdhëniet me aleat, as për me na dhënë këshilla se qysh me u sill ne me aletë, nuk është ka edhe përgjegjësi tjera. Ajo ka përgjegjësi edhe për politikën e jashtme, edhe nuk e tha asnjë fjalë në kuptimin se çfarë do të duhej të thoshte”, ka deklaruar Mushkolaj.

Ai ka theksuar se Osmani, në vend që të fliste si presidente e Kosovës, e kishte marrë këtë mundësi për të vepruar si opozitë ndaj Kurtit.

“Ajo duhej të fliste për korrupsionin, stagnimin ekonomik, zhvillimor e të tjera. Pra ajo sot u tregua një presidente e cila nuk foli si presidente por si Vjosa Osmani, duke dalë si një opozitë e Albin Kurtit, ndërkohë që gjatë gjithë kësaj kohë ka qenë aleatja më e madhe e tij”, ka deklaruar Mushkolaj, në Debat Plus.