Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Imer Mushkolaj, beson se me Samitin e sotëm, BE tregoi sërish paaftësinë e saj për të çuar përpara procese të mëdha si ai i dialogut.
Në një prononcim për GazetaBlic, Mushkolaj, tha se mungesa e konsensusit dhe vendimmarrjes në BE, sidomos karshi liberalizimit të vizave për Kosovën, është dëshmia më e mirë për këtë.
Madje, sipas Mushkolajt, në këtë mënyrë, Bashkimi Evropian vetëm sa po e rrit skepticizmin e këtyre vendeve.
“BE tregoi edhe njëherë paaftesinë e vet që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u ofrojë një datë të saktë për anëtarësim. Në këtë mënyrë BE vetëm sa po e rrit skepticizmin e këtyre vendeve.
Mungesa e konsensusit dhe vendimmarrjes në BE, sidomos karshi liberalizimit të vizave për Kosovën, tregon se BE nuk e ka fuqinë të çojë përpara procese çfarë është përfundimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në Berdo sot, BE përsëriti edhe njëhere premtimet e Selanikut të vitit 2004, por pa afat kohor e as strategji për realizim”, tha fillimisht Mushkolaj.
Ndërkaq, takimin Kurti – Vuçiq, ai e cilësoi si kurtoazie, pra gatishmëri për vazhdim të tij, por pa ide konkrete se si apo në ç’afat do të përfundojë.
“Sa i përket takimit Kurti-Vuçiq, ishte një takim kurtoazie, sa për të përsëritur përkushtimin se dialogu do të vazhdojë, por sërish pa ide konkrete si dhe kur do të përfundojë”, përfundoi ai.
Halil Matoshi: BE pa vizion, s’ka marrëveshje gjithëpërfshirëse pa inkuadrim të SHBA-së në dialog
/GazetaBlic/