Sporti

Mushica pasi Kosova mësoi kundërshtarët në Ligën e Kombeve: Vëmendja tek përballjet me Rumaninë – aty ku pres të vendoset fituesi i grupit

02/08/2024 19:09
nga:Lorik J

Kombëtarja e Kosovës ka mësuar kundërshtarët në Ligën e Kombeve të edicionit 2024-25. Kosova do të përballet me Rumaninë, Qipron dhe fituesin e duelit Lituani – Gjilbratar.

Ish portieri i kombëtares së Kosovës, Kushtrim Mushica ka theksuar se Kosova ndodhet në një grup mjaft të mirë – duke marrë parasysh edhe kundërshtarët që mund të kishim nga grupi C.

“Po, mendoj që është një grup relativisht i mirë duke marrë parasysh nga çfarë kombëtare përbehet grupi C i Ligës së Kombeve”, tha fillimisht Mushica për ‘GazetaBlic Sport’.

Sipas Mushicës, Kosova do të luftojë me Rumaninë për vendin e parë në këtë grup.

“Kombëtarja që merr vëmendjen e kombëtarës tonë është ajo e Rumanisë, me të cilët kemi pas përballje rishtazi dhe përveç rivalitetit në fushë, kujtojmë edhe momentet në Rumani që i kaluan futbollistët tanë. Pra me Rumaninë do të kemi rivalitet, që besoj nga ku edhe do të dal fituesi i grupit”, përfundoi ai.

Kujtojmë se ndeshjet e Ligës së Kombeve fillojnë në shtator të këtij vitit dhe përfundojnë në nëntor.

/GazetaBlic Sport/