Sporti

Mushica: Aro Muric meriton notë të lartë për paraqitjet në kualifikueset me Kosovën

11/22/2025 16:50
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Kosovës ka arritur një sukses historik në kampanjën kualifikuese për Kupën e Botës, duke siguruar një vend në ‘Play Off’.

Ish portieri që mbrojti portën e ‘Dardanëve’, Kushtrim Mushica, është deklaruar në lidhje me këtë sukses historik të arritur.

Në emisionin ‘Expose‘, prodhim i ‘GazetaBlic‘, Mushica tha se reflektuam mirë pas ndeshjes me Zvicrën, duke zhvilluar më pas një ecuri fantastike.

Ky sukses bëhet edhe më i madh sipas tij, kur bazohemi tek kombëtaret kundërshtare që kanë qenë në grup.

Po, arritja është e jashtëzakonshme, kjo marrë parasysh edhe kundërshtarëve të grupit. Ecuria ishte fantastike, pasi fillimisht humbëm nga Zvicra, por që nga ajo ndeshje kombëtarja jonë reflektoi dhe këtu merita ka Foda, pasi që atëherë nuk kemi pësu as gol. Këtu ka merita selektori dhe prurjet e reja, ishin në momentin e duhur dhe në pozicione që kemi pas nevojë, secili ka dhënë kontribut, janë ambientu shpejtë, sepse duhet pak kohë, por ata me sukses I plotësuan vendet dhe rezultatet erdhën në momentin e duhur me kombëtare të forta si Suedia e Sllovenia”, tha fillimisht Mushica.

Si një ish portier, Mushica nuk la pa komentuar edhe paraqitjet e Aro Muric në portë, ku tha se meriton notë të lartë, duke qenë një siguri e madhe në portën tonë.

Vlerësime pozitive kishte edhe për portierin Saipi, i cili tregoi paraqitje shumë të mirë në ndeshjen ndaj Sllovenisë.

Roli i portierit nuk e ka vëmendjen e një sulmuesi apo mesfushori, por janë ato rastet kur portieri del në skenë me pritjet e tij, ne kemi çka me përmend tek Muric, pasi me Suedinë ka qenë kyç. Ai kur kemi realizu gol me Suedinë, Muric e dërgoi topin dhe filloi kundësulmi ku edhe erdhi goli, Muric meriton notë të lartë. E mira është që kemi edhe një portier tjetër të mirë si Saipi, i cili u paraqit ndaj Sllovenisë dhe pati paraqitje të mirë, e dëshmoi që është gati për kombëtaren, tek porta qëndrojmë mirë, pasi është edhe Bekaj, që luan mirë në Turqi poashtu. Ka pasur rotacion vazhdimisht në ekip, selektori ka pas mungesa, por nuk kemi pasur probleme në lojë. Në këto rrugëtime çdoherë të duhet edhe banka rezervë e gatshme me kontribu”, përfundoi Mushica.

/GazetaBlic Sport/