Lajme

Murati-Tahirit: Ju na akuzoni për pagën minimale por vetë e keni dërguar këtë projektligj në Kushtetuese

02/08/2024 12:18
nga:Sh R

Ministri i Financave, Hekuran Murati i është kundërpërgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i cili e kritikoi qeverinë për pagën minimale duke i thënë se është vetë partia e tij e cila e ka bllokuar këtë projektlig në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Muratit, deputeti Tahiri para se të kërkojë për rritjen e pagës minimale e para se të akuzojë qeverinë, duhet t’u tregojë qytetarëve se partia e tij e ka dërguar këtë projektligj në Gjykatën Kushtetuese kështu duke bllokuar 100 mijë qytetarë që do të përfitonin nga paga minimale.

“Para se të kërkojë për rritjen e pagës minimale, para se të akuzojë qeverinë, duhet t’u tregojë qytetarëve se AAK-ja e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese projektligjin i cili mundëson rritjen e pagës minimale dhe ka bllokuar 100 mijë qytetarë që do të përfitonin nga ky projektligj”, ka thënë Murati.

Ndryshe, në seancën e së enjtes, Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka kritikuar qeverinë e Kosovës se për tri vjet qeverisje ka bërë fjalë shumë e punë pak.

Ai ka kritikuar qeverinë për mungesë të investimeve kapitale dhe për paga të vogla në sektorin privat e publik.

“Ju kam thënë e keni marrë Kosovën me qelësa në dorë, vetëm një investim kapital e keni, ura që e lidh fshatin e Bekë Berishës dhe Arben Gashit. Pagat në sektorin publik janë tmerr, Qysh mundeni me iu dalë pensionistëve përpara. E dini mirë çka keni fol për ata, çfarë premtime iu keni dhënë, asgjë. Reflektoni edhe pse është vitit i fundit, ka vijuar ai.