Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati deklaroi se propozimi i LDK-së për qeveri tranzicionale është “kthim në kohën e UNMIK-ut”.
Në një deklarim për media pas dështimit të seancës konstituive, Murati tha se janë befasuar nga përgjigja e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Përgjigja e tillë (LDK-së) neve na befasoi, meqë përputhej plotësisht me atë çfarë ishte shkruar apo ishte thënë një ditë më parë nga zëdhënës jo zyrtar të grupeve të caktuara ekonomike. Ndërkaq, sa i përket qeverisë tranzicionale, siç u quajt, besoj që gjithë e dini dhe pajtoheni që në raste kur ka luftë civile, kur vendi del nga lufta dhe nuk ka institucione, në raste të tilla kur ka kriza të papara, apo kriza jo të rregullta, Kuvendi mbetet pa qeveri, atëherë propozohen zgjidhje të tilla. Realisht propozimi për qeveri tranzicionale është që të kthehemi në kohën e UNMIK-ut, në vitin 2000, dhe nuk besoj që jemi aty”, deklaroi Murati.
Murati tha se kreu i LDK-së kishte thënë që nuk është i interesuar për zgjidhje afatshkurt, ndërkohë që po kërkon qeveri tranzicionale.
“Dikush si Lumir Abdixhiku që në vazhdimësi ka thënë se nuk është i interesuar për një zgjidhje afatshkurt, por për një qeveri stabile që e çon mandatin deri në fund ishte pikërisht ai që e refuzoi këtë ftesë për një qeveri afatgjate dhe propozoi që të ketë një qeveri tranzicionale. Kjo në vetvete është kundërthënie dhe normalisht që nuk është serioze, sepse nuk jemi në situatë të tillë. Çka po kërkohet është të kthehet situata në kohën e UNMIK-ut, nuk ka UNMIK më harroni, ka qeveri”, shtoi Murati.
Ai tha se partitë politike kanë refuzuar ftesat, bashkëpunimin dhe zgjidhjen, siç tha ai, edhe përmes votimit të fshehtë.
“Kjo nuk mund të quhet asgjë tjetër përveç hipokrizi, besoj qytetarët po e shohin se kjo bllokadë që po bëhet, po bëhet ka adresë të caktuar dhe po bëhet pikërisht nga partitë opozitare. Shfrytëzoj rastin edhe një herë që të ftojë që të reflektojnë dhe së paku t’i jepet mundësia votimit të fshehtë. Sepse e kemi parë që votimi i fshehtë është edhe mënyrë demokratike për të shprehur vullnetin të vet deputetëve në mënyrë të lirë, pa pasur presion nga partitë e tyre, në anën tjetër do të mund të jepte një zgjidhje. Deri më tani e kemi parë që nuk është vënë në testim votimi i fshehtë”, deklaroi Murati.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka refuzuar koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa ka kërkuar një qeveri tranzicionale deri në zgjedhjen e presidentit të vendit në vitin 2026.
Deputetët kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin e Kosovës edhe në përpjekjen e 12-të. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së, sërish insistoi që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të ndodh përmes votimit të fshehtë.


