Lajme

Murati për gurthemelin e universitetit në veri: Kurti dikur ishte më i zëshmi, tash asnjë reagim

08/20/2021 22:58
nga:M K

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka reaguar rreth gurthemelit që është vendosur për objektin e ri të “Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë”, financuar nga Serbia.

Sipas Muratit Qeveria e Kosovës ka heshtur ndaj kësaj kauze dhe nuk ka asnjë reagim.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim tha se kryeministri Albin Kurti i cili ka qenë më i zëshmi për situatat në veri të Mitrovicës nuk po reagon dhe me këtë veprim Serbia po fuqizon pozitat e saj, madje duke bërë edhe ndarjen e qytetit.

“Asnjë reagim nga kryeministri, i cili në të kaluarën ka qenë më i zëshmi për situatën në veri dhe asnjë reagim nga asnjë dikaster qeveritar. Popullimit të pafre opozitar, ia ka zënë vendin heshtja e pakuptueshme qeveritare. Me këtë veprim, Serbia qartazi po i fuqizon pozitat e veta deri në lumin Ibër, duke betonizuar kështu edhe ndarjen e qytetit të Mitrovicës”, tha ai.

Ai shtoi se problemet reale të vendit nuk zgjidhen as me servilizëm por as me popullizëm e as me status quo, e cila është në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve sa më shumë që kalon koha.

Mitrovica e Veriut sipas Kryetarit Valon Murati kërkon zgjidhje politike të guximshme, ndërsa një nga zgjidhjet është kërkimi i reciprocitetit në të drejta që i garantohen dhe se vonesat që po bëhen nga qeveria për këto çështje do të jenë fatale për Kosovën Lindore.

“Nuk ka dyshim se një prej zgjidhjeve është që Kosova të kërkojë reciprocitet në të drejta dhe status të njëjtë për Kosovën Lindore në bisedimet me Serbinë si ato që i ka dhe kërkohen për veriun e Kosovës. Vonesa në këtë qasje dhe status-quoja e stërzgjatur, do të forcojë jo vetëm pozitën e Serbisë deri tek lumi Ibër, por do të jetë fatale edhe për fatin e shqiptarëve në Kosovën Lindore”, shkroi Murati në Facebook.