Lajme

Murati mohon humbjet në Trust: Njohuritë e LDK-së, të mjaftueshme vetëm për llogaritje kusuri

03/24/2024 12:16
nga:G C

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka kujtuar disa deklarata të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe deputetit të kësaj partie Avdullah Hoti, lidhur me kursimet e Trustit.

Murati në një postim në Facebook, ka shkruar se para një viti Abdixhiku dhe Hoti kishin nisur një fushatë dezinformomi në lidhje me kursimet e Trustit dhe performancën e investimeve.

“Sipas logjikës së Abdixhikut e Hotit, Trusti do duhej t’i kishte humbur nja 180 milionë euro deri më sot, për një vit. Por ja që koha, bashkë me performancën e investimeve në Trust, e tregon edhe njëherë se njohuritë e ekonomistëve të LDK-së janë të mjaftueshme vetëm sa për të llogaritur se sa duhet kthyer kusuri, por jo për gjëra më të thella”, ka shkruar Murati.

Kujtojmë se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kishte akuzuar Qeverinë se nuk po bën asgjë, për siç ka thënë ai, humbjen e vlerës së kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale.

Ai përmes një statusi në rrjetin social në Facebook një vit më parë kishte shkruar se përderisa kursimet pensionale, humbasin vlerë nga gjysmë milion euro në ditë, popullistët vazhdojnë rehatinë.