Lajme

Murati: Kthimi i terminaleve doganore në pronësi të shtetit, u ka ndihmuar bizneseve

01/29/2024 11:51
nga:N K

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kthimi i pronësisë së terminaleve doganore në dorë të shtetit ka sjellë lehtësim në koston financiare për bizneset në Kosovë.

“Kthimi i terminaleve doganore në operim shtetëror, i ka ndihmuar bizneset pasi që ka bërë që të hiqet barra administrative dhe kostoja financiare për shumë biznese”, ka thënë Murati.

Në një tryezë me Doganën e Kosovës, ministri Murati ka theksuar angazhimin e Qeverisë në përmirësimin e kushteve të biznesit në vend, duke përmendur veprimet konkrete që kanë ndodhur.

“Hapja dhe zhdoganimi i plotë i portit të Durrësit janë hapat që do të ulin koston për bizneset tona. Po ashtu, kemi ndërmarre hapa të rëndësishëm për lirimin nga taksat doganore për disa lëndë, duke e bërë më të lehtë për prodhuesit të shtojnë vlerën e tyre”, ka theksuar Murati.

Në kontekst të përpjekjeve për rritjen e efikasitetit dhe eliminimin e barrierave administrative, ministri informoi se terminali doganor në pronësi shtetërore do të ndihmojë në reduktimin e kostos dhe kohës së procedurave për bizneset.

“Kthimi i terminaleve doganore në pronësi apo në operim shtetëror, në mënyrë që të hiqet edhe barra administrative, por edhe kostoja financiare për shumë biznese. Kemi filluar zhdoganimin e plotë të portit të Durrësit që ulë koston e bizneseve, sepse mund të përfshihen disa prej kontrolleve dhe të ulen edhe kostot e bizneseve që kalojnë mallrat e tyre në atë port”, ka deklaruar Murati.

Ai gjithashtu prezantoi përfitimet e ndihmës së Bankës Botërore në krijimin e një dritare kombëtare, duke lehtësuar tregtarët për të kryer shërbimet në mënyrë digjitale.

“Në tetor të vitit 2023, kemi miratuar lirimin nga taksa doganore për një sërë lëndësh kyçe”, ka shtuar ministri i Financave.