Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është ndarë në dy dikastere të veçanta: Ministrinë e Financave dhe Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare.
Në këtë kuadër, sot është mbajtur ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës, ku ministri i Financave, Hekuran Murati, priti në takim ministrin e ri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
Murati i uroi suksese Hotit në udhëheqjen e ministrisë së re, duke shprehur gatishmërinë për mbështetje të plotë gjatë fazës tranzitore. Ai e njoftoi gjithashtu me punën e deritanishme dhe me sfidat që pritet të adresohen në vijim.
Nga ana e tij, ministri Hoti falënderoi Muratin për bashkëpunimin, ndërsa prezantoi planet dhe prioritetet e tij për zhvillimin e sektorëve që tashmë i ka në përgjegjësi.
Të dy ministrat theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për t’iu përgjigjur nevojave dhe sfidave të qytetarëve.


