Trajneri i kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda ka organizuar kamp në Prishtinë për futbollistët e ri, që në të ardhmen mund të jenë potencialisht pjesë e kombëtares A.
Trajneri i njohur kosovar, aktualisht “timonier” i Dukagjinit, Ismet Munishi e ka lavdëruar Fodan për këtë iniciativë, pasi është risi në futbollin tonë.
Dyshja e ekipit të Dukagjinit, Erlis Xhemajli e Hekuran Berisha janë pjesë e këtij kampi, teksa Munishi shprehet tejet i lumtur, sepse lojtarët e meritojnë dhe do iu shërbejë maksimalisht në të ardhmen.
“Është shumë pozitive nga Foda, po i provon lojtarët e ri. Ne si klubi i Dukagjinit i kemi dy lojtarë, Erlis Xhemajlin edhe Hekuran Berishën, është pozitive kjo. Unë besoj që ka me pas surpriza të këndshme, e ka percjell ligën tonë, nuk e ka bë këtë punë rastësisht”, tha fillimisht Ismet Munishi për ‘GazetaBlic Sport’.
Sipas Munishi, Foda po tregon profesionalizëm, sepse po kërkon gjithmonë elemente të reja tek kombëtarja, e kjo ndikon pozitivisht.
“Kjo ndikon jashtëzakonisht edhe tek motivimi i lojtarëve, sepse iu ngritet vetëbesimi. Personalisht jam shumë i kënaqun me punën e këtij trajneri, e ka stabilizu kombetarën dhe nonstop po kërkon edhe elemente të reja, bravo i qoftë, po punon mirë”, përfundoi Munishi.
Kujtojmë se ky kamp do mbahet në kryeqytet nga 12 deri më 15 janar dhe shumica e lojtarëve të grumbulluar janë nga Superliga e Kosovës.
/GazetaBlic Sport/