Lajme

Mungon njëri i akuzuar, shtyhet gjykimi për korrupsion dhe vepra të tjera penale

03/20/2024 11:53
nga:Sh R

Në mungesë të të akuzuarit Muhamet Dragozhuba, ka dështuar të mbahet të mërkurën gjykimi në rastin ku i njëjti bashkë me noterin Sinan Visoka si dhe të akuzuarit Sajdi Bajogu e Jonuz Zhinipotokut, po ngarkohen për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Dragozhuba, mbrojtësi i tij, avokati Liman Musa bëri të ditur se është njoftuar me vonesë se i njëjti gjendet në paraburgim në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, në këtë seancë nuk ishte e pranishme as dëshmitarja Drenusha Shala, për të cilën kryetari i trupit gjukues, gjykatësi Agim Kuçi tha se e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e saj nuk e ka arsyetuar.

Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 dhjetor të 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i pandehuri Sinan Visoka akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të pandehurit Sejdi Bajogu, Muhamet Dragozhuba dhe Jonuz Zhinipotoku akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe po ashtu Sejdi Bajogu dhe Muhamet Dragozhuba akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale “Mashtrimi”.

Sipas aktakuzës, ngarkohen se përmes përpilimit të një akti noterial me dokumente të falsifikuara, me të cilin kinse V.Ç autorizon të pandehurin Sejdi Bajogu për shitjen e disa parcelave të cilat gjenden në fshatin Hajvali në Prishtinë, e me të Bajogu lidh kontratë për shitblerjen një prone, i shkaktojnë dëm pronares së pronave V.Ç.